|
Një Frëngovë tjetër në Zvicër
Patriot LUMANI
Cyrih, 18 tetor - Salla ku do të takoheshin dhe do të festonin frëngovarët e Zvicrës në Fahrweid të Cyrihut rezultoi e vogël, sepse ftesës së shoqatës ''Frëngova'' i ishin përgjigjur pjesa më e madhe e mërgimtarëve strugan që jetojnë në të katër anët e Zvicrës. Takimin festiv e hapi dhe udhëhoqi Loni Ajazi, artist me origjinë nga Frëngova e Strugës, që prej vitesh jeton dhe punon në Zvicër, njëkohësish aktivist që gjithmonë ka qenë pjesë e organizimeve të komunitetit shqiptar këtu. Një ritëm dhe një emocion gjatë gjithë mbrëmjes festive përcollën artistët dhe instrumentistët që posaçërisht kishin ardhur nga Struga, si Artan Kamberi, Besfort Ibraimi, Renato Lici si dhe këngëtari i njohur për interpretimet e tija origjinale, Flamur Ismaili, të cilët bashkërisht për orë të tëra e gjallëruan në aspektin artistik këtë festë dhe ngjallën emocione të papara te të pranishmit. Me interes të shtuar u ndoqën edhe vallet e interpretuara nga SHKA ''Shpresa'' e veleshtarëve në Zvicër, si dhe këngët e interpretuara nga Alim Dauti, këngëtar nga Struga që jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër. Në këtë takim festiv me një fjalë rasti u prezantua edhe imami i Frëngovës, Jusuf Ismaili, i cili solli përshëndetjet dhe përgëzimet nga Frëngova. Ai në fjalën e tij falënderoi komunitetin e frëngovarëve në Zvicër për ndihmën dhe kontributin e tyre të gjithanshëm në zhvillimin e vendlindjes së tyre në shumë drejtime, pa e harruar asnjëherë vendin e të parëve të tyre. Ai i porositi ata që të ruajnë besimin e tyre fetar doket dhe traditat shqiptare dhe i përgëzoi në këtë drejtim për atë që kanë bërë deri tani në këtë aspekt. Kulmi i mbrëmjes ishte recitimi i poezive nga grupi i fëmijëve, Sidorela Dauti, Arlinda Lumani, Daedan Muarremi, Bleona Shaqiri, Fation Dauti dhe Albin Muarremi, Abim Shaqiri të gjithë të lindur në Zvicër, të cilët me një gjuhë të pastër shqipe bënë për vetë të pranishmit në Fahrweid dhe korrën duartrokitje të shumta.
Shoqata ''Frëngova'' Në Zvicër prej disa vitesh funksionon shoqata''Frëngova'', e cila tubon pjesën më të madhe të mërgimtarëve që vijnë nga fshati Frëngovë i Strugës. Jeton Hyseini, krytar i kësaj shoqate tregonse ky organizëm është themeluar si një nevojë e komunitetit të frëngovrëvekëtu në Zvicër për të mbajtur lidhjet dhe komunikimin ndërmjet tyre, dhe ngjallur ndjenjën e solidaritetit dhe njëkohësisht për të promovuar atdhedashurisë te gjeneratat më të reja. Ai tregon se vetëm nga Frëngova në Zvicër jetojnë mbi 500 persona nga të gjitha moshat, të shpërndarë në të gjithë konfederatën zvicerane.''Shoqata jonë deri tani ka organizuar një sërë aktivitetesh në funksion të mbajtjes gjallë të traditave tona dhe promovimin e kontakteve ndërmjet vetë frëngovarëve në Zvicër. Ne si shoqatë asnjëherë nuk e kemi harruar vendlindjen dhe në shumë raste kemi ndihmuar kur është paraqitur nevoja. Viteve të fundit kemi ndihmuar një sërë familjesh që kanë vështirësi financiare në Frëngovë. Gjithashtu me mjete financiare kemi asistuar për kurimin e disa bashkëfshatarëve tanë që kanë pasur probleme të natyrës shëndetësore'', njofton Hyseini. Ndërkohë, Fluturim Muarremi, sekretar i shoqatës ''Frëngova'' potencon se ky organizëm i frëngovarëve në Zvicër punon për mbajtjen gjallë të ndjenjës së atdhedashurisë, zhvillimin dhe kultivimin e zakoneve dhe dokeve shqiptar,e si dhe afirmimin dhe avancimin e tyre. Por qëllimi më madhor i shoqatës sonë, thotë Muarremi, është bashkimi dhe afrimi i të gjithëfrëngovarëve, sepse vetëmkështu nuk humbim kontaktin njëri me tjetrin dhe me vendlindjen tonë. Për arritjen e këtij qëllimi madhor, shoqata jonë organizon çdo vit aktivitetet të ndryshme dhe mbrëmje muzikore, duke ndikuar kështu në mbajtjen e kontakteve.
Faktori shqiptar në Zvicër Sot në Zvicër shqiptarët janë një nga komunitetet më të mëdha dhe renditen pas gjermanëve, francezëve dhe italianëve, që janë kombet kryesore shtetformuese të konfederatës helvetike. Sipas të dhënave që u referohen organeve zyrtare, në Zvicër jetojnë mbi 300 mijë shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare të Ballkanit, dhe vetëm nga Maqedonia konsiderohet se jetojnë rreth 70 mijë shqiptar. Nga Struga dhe nga fshatrat e saj, sipas të dhënave që vijnë nga shoqatat e struganëve të këtushëm, supozohet se jetojnë mbi 10 mijë qytetarë. Gradualisht dhe sigurt, shqiptarët e këtushëm po integrohen dhe po kontribuojnë për zhvillimin e Zvicrës në të gjitha fushat. Ata sot i gjen nga punëtorë të thjesht krahu deri në profesione të tilla si mjekë ekonomistë, mësimdhënës dhe administrator të suksesshëm të shumë kompanive të këtushme të natyrave prodhuese, tregtare si dhe të shërbimeve.
|
|
|